Feeds:
Posts
Comments

Archive for the ‘Gatuajme se bashku/let s cook’ Category


Miredita te dashur miq,

Dje nje miku yne me kishte shkruar nje koment shume interesant ne lidhje me blogun e cajit dhe pervecse me inkurajoi, me kujtoi kohen kur ne e pinim cajin vetem ne raste gripi apo te ftohti. Madje qe nga ajo kohe une jam pak e rezervuar me konsumimin e cajit te malit:-)))

Tani qe po shkruaj po shijoj nje filxhan caji jeshil me fruta kardamomi. I mire per organizmin dhe shume aromatik.

Cdo dite kemi folur per tema te ndryshme, por kemi anashkaluar temen e preferuar te gatimit. Sot do te ndaj me ju nje recete qe mund te klasifikohet me dinjitet tek kategoria “Supe per miq”.

Jo se ju nuk mund ta konsumoni per veten tuaj, por qe “te nderon” edhe ne raste kur tryezen familjare e kane zbukuruar miq e te ftuar.

SUPE PER “MIQ”

Perberesit:
500gr fileto pule
1 qepe mesatare
2 thelpinj hudher
3 presh te prere ne rrathe te holle
1 luge caji gjalpe
1 luge supe vaj ulliri
2 patate mesatare
3 luge supe grure
100 gr bizele
5 karota te prera ne kubike
100 gr lulelaker
1 spec i kuq (per t’i dhene jo vetem shije, por edhe ngjyre supes)
100 gr spinaq i grire holle
1 tufe koper

Fileton e pules e lajme dhe e presim ne kubike te vegjel. I kaurdisim me pak hudher ne 2 luge vaj ulliri dhe i shtojme pakez kripe dhe gjysem luge caji pluhur kumini.

Kaurdisja vazhdon per 5 minuta dhe pasi hiqen nga zjarri ia shtojme perzierjes se supes.
Ne nje tenxhere me madhesi mesatare hidhni 1 luge caji gjalpe dhe 1 luge supe vaj ulliri. Menjehere shtoni 1 qepe mesatare te grire holle, 2 thelpinj hudher, 3 presh te prere ne forme rrathesh. Perziejini mire se bashku pa i lene te ngjiten per 3-4 minuta.

Me pas shtoni 1 gote uje ose leng pule dhe te gjitha perimet e tjera te pastruara dhe te prera holle.

Patatet i presim ne formen e thelave te portokallit. I hedhim dhe pak uje tenxheres dhe pasi i veme kapakun tenxheres e leme te vloje per 30 minuta.

Ne fund pasi supa te kete ziere i shtojme kopren e grire dhe pak piper te zi. Ne fund te pjates se supes shtrojme nje cope limoni mbi te cilen hedhim supen e ngrohte.

Kjo eshte nje supe qe shijon shume dhe qe ka shume vlera ushqyese.

Ju befte mire!

Edi Gogu

Read Full Post »

Te dashura mikesha,

Caji jeshil me feta portokalli me kujtoi qe sot nuk kisha shkruar asnje fjale ne blogun e cajit:-(

Ndaj u ngrita nxitimthi nga “rehatia” ime dhe zura vend perpara kompjuterit. Sot gjate gjithe dites kam menduar per “stomakun”. Jooo, mos me keqkuptoni! Nuk kam aspak probleme me stomakun dhe njekohesisht perpjekjet e mia te nje ore kane te bejne me stomakun.

Ndersa pergatisja supen me perime per dreke, shijoja cdo arome te mire qe leshohej ne ajer, pasi une shtoja ne tenxhere perime te ndryshme te prera ne forma e madhesi te ndryshme. Me falni qe e perdora fjalen “te ndryshme” dy here brenda se njejtes fjali, por me duhej ta beja kete gje :-)

Cdo zarzavat qe i shtohej supes se drekes, barazohej ne mendjen time me vitamina, A, B, C, D dhe ngazellimi im vetem shtohej.

Femijet me kishin kerkuar qe tu beja edhe pice per dreke, ndaj pervec djathit e zgjedhjes se proshutes, bera nje furnizim qe ne mendje e quajta “bombardim i pices nga perimet”.

Me mikeshat e mia bisedojme shpesh per “tendencat” e femijeve per te shijuar gjera te pashendetshme ne vend te gatimeve me perime.

Ndersa brumi i pices “vinte” une prisja perimet dhe mendoja sesi cifti “tru-stomak” mund te ushtroje nje efekt pozitiv apo negativ ne organizem.

Ndersa shijonim dreken me femijet u hapa enkas nje bisede mbi “kelthitjen protestuese” te organeve te brendshme te trupit te njeriut, nese kequshqehemi.

Fantazia e tyre kulminoi si perhere dhe nga biseda jone linden personazhe “STOMAK PROTESTUES” apo “MELCI E NEVRIKOSUR” nga bombardimi me yndyrna apo konservante.

Zakonet e mira apo edhe te keqija te te ngrenit formohen qe ne femijerine tone. Ne varesi te ketyre “huqeve” na vijne “bonus” shpesh edhe semundje te melcise, stomakut, mostretjes etj. Nuk po them qe perjashtoj ne kete rast edhe trashegimine apo shkaqe te tjera, por menyra sesi ne kujdesemi per stomakun tone ndikon drejpersedrejti ne shendetin tone.

Nese nje femije nje vjecar mesohet qe te haje patatina (= me plehra)ne vend te nje ushqimi te shendetshem, ai do te vazhdoje te konsumoje patatina apo produkte te ngjashme gjate gjithe jetes se tij.

Ushqimi i shendetshem i kombinuar me porcione te pershtatshme per moshen, kombinuar me konsumimin e mjaftueshem te ujit, qumeshtit, lengjeve, aktiviteti fizik dhe “nje ushqim i shendetshem per shpirtin dhe trurin tuaj” jane nje dhurate e cmuar qe ju i beni vehtes tuaj.

Ndersa po e mbyll kete “bisede tonen” mendoj sesa shume njerez e lene stomakun e tyre te “livadhise” pa fre dhe te “terbohet”…

Te shtrenjta mikesha, ju uroj vec te mira dhe “mire u takofshim” neser :-)

Si perhere, me dashuri

Edi Gogu

Read Full Post »


Miremengjes te dashura mikesha!

Ju uroj nje fillimjave sa me diellore dhe dite plot buzagaz:-)

Ju kerkoj ndjese qe ne fundjave nuk “kam mundur dot” te vij per caj, por kam pasur ca probleme teknike me kompjuterin tim.

E rendesishme eshte qe jam ketu tani dhe do t’i le menjane ankesat, se nuk shijohet caji me biseda te tilla.

E dini cfare kam bere keto dite qe nuk jemi “takuar” bashke? Pervecse kam ushtruar detyrat e mia si bashkeshorte, mama dhe zonje shtepie, se bashku me vajzen kemi qepur canta prej cope. Sa qejf!!!

Vajza kishte temperature prej mese nje jave dhe gjendja emocionale ishte bere paksa e parehatshme, keshtu qe mendova te benim dicka (ne momentet e renies se temperatures)e cila do ta permiresonte gjendjen e saj emocionale.

Punuam per nje ore e pak dhe pas asaj kohe kishim nje cante prej cope se ciles i gezoheshim te dyja.

Ndersa dje ne dreke, provova nje recete frutash te perpunuara per 6 minuta ne mikrovale. Hmmmm, e shijshme pafund!!!

Per 4 persona duhen 3 banane dhe 1 molle mesatare. I presim bananet ne copa me madhesi prej 3 cm dhe mollet ne feta shume te holla. Shtrojini ne nje ene qelqi per mikrovale duke kombinuar nje cope banane me nje shtrese mollesh. Pasi ta keni mbaruar se rradhituri sasine e frutave, shtoni mbi fruta arra te grira, pak kanelle dhe 2 luge supe mjalte.

Futeni ne mikrovale ne 700W per 6 minuta dhe sherbejeni te ngrohte. Sipas deshires mund t’i hidhni siper pak krem shllak apo cokollate te grire holle.

Ju keshilloj miqesisht ta shoqeroni me nje filxhan caji bliri:-)Frutat e gatuara ne kete menyre jane nje “embelsire” shume e mire dhe e shendetshme per nje vakt fundjave me familjen tuaj!!!

Nderkohe, mos harroni qe cdo dite ka nevoje per embelsine tuaj. Embelsia juaj te shtrenjtat e mia nuk tregtohet ne asnje dyqan apo supermarket, ndaj edhe eshte e nje vlere te jashtezakonshme.

Ju e keni ne dore per t’ua embelsuar ose jo diten njerezve tuaj me te shtrenjte. Nje buzeqeshje, nje puthje, nje perqafim, nje veshtrim, nje fjale e embel kane vlere me shume se mijera thesare.

Ndoshta ju nuk ndiheni mire sot, apo nuk jeni ne gjendje per te qene te “embla”, por mos harroni qe vetem ju e keni ne dore ta embelsoni apo ta hidheroni veten tuaj te paren dhe marredheniet me te tjeret.

Nuk po them qe ta mpini realitetin, por vetem te provoni ti “shtoni” dites tuaj pak “embelsues” ne vend te “uthulles”.

Jua garantoj (me eksperiencen e vete provuar) qe funksionon:-)

Se shpejti do ju lajmeroj qe te takohemi e te pijme caj “prej verteti”, OK?

Kaloshi mire sot:-)

E juaja,

Edi Gogu

Read Full Post »

Te dashur miq,

Deshiroj qe te ndaj me ju nje recete shume te thjeshte dhe shume te shpejte e cila kerkon dhjete minuta pune pergatitore dhe rreth dyzet minuta kohe pjekjeje ne furre ne temperaturen 180 grade celsius.

Perpara se te fillojme ju lutem beni dy gjera; ndizni furren ne 180 grade dhe tretni 150 gram margarine.

Ne nje tas (nuk ka rendesi materiali i perzgjedhur i tasit) hidhni 4 veze te cilat duhet te jene ne temperature ambienti. Shtojini vezeve 1 filxhan caji (250 gr) sheqer dhe perziejini mire se bashku. Me pas hidhni ngadale sasine e margarines se shkrire derisa te perftoni nje mase kremoze. Me pas shtoni 1 filxhan caji kos.

Ne nje tas tjeter perzieni mire 2 luge caji baking powder ( ose ne mungese te saj 1 luge e vogel caji me sode buke) me 2 filxhane e gjysem miell dhe 4 luge pluhur kakaoje per embelsira.

Shtojeni masen e perftuar ne masen e qullte dhe nderkohe qe i perzieni shtoni dhe 150 gram arra te shtypura.

Lyeni tepsine me pak vaj/gjalpe sipas deshires dhe pudroseni me pak miell. Lereni te piqet dhe kontrollojeni me majen e nje thike nese keku ka kulluar. Nese thika del e paster nga thellesia e kekut, atehere ai eshte gati. Lereni te ftohet per disa minuta dhe nxirreni nga tepsia/forma e kekut. Priteni me kujdes dhe nese deshironi mund te pudrosni me sheqer pluhur.

Shoqerohet me kafe, caj, salep, qumesht, kapucino dhe padyshim me muhabet te kendshem:-)

Ju befte mire!

Me shkruani nese keni sukses (dhe nese jo).

P.S. E ne qofte se doni ta “prishni dieten” fare lejojini vetes qe te vendosni mbi ndonje pjese te kekut per dekorim pakez krem shllaku.

Edi Gogu

Read Full Post »

Te dashura mikesha,

Pothuajse cdo dite edhe une vihem perpara se njejtes dileme, ashtu sikurse edhe ju. Si ti ushqej femijet ne kete stine?

Po filloj pa humbur kohe duke mos harruar per asnje cast se ne secilen prej stineve te vitit duhet te shijojme perimet dhe frutat e asaj stine qe jemi duke jetuar. Disa mendojne se dimri eshte nje stine e varfer me fruta e perime, por une doja te thoja qe kjo nuk eshte aspak e vertete. Thjesht frutat dhe perimet e cdo stine jane te ndryshme.

Perendia eshte kujdesur kaq shume, qe cdo stine te vije e shoqeruar me nje “shporte” karakteristike frutash e perimesh. Mendoni per nje cast, sikur te konsumonim pergjate te gjithe vitit te njejtin lloj zarzavati. Pas disa javesh do te kthehej ne nje makth te vertete.

Mire, le te mos humbasim kohe e te fillojme:

FEMIJE 6 MUAJSH- 2 VJEC

Femijet 6 muajsh deri 1 vjec mund te konsumojne ne vaktin e drekes lengun e disa perimeve te stines te ziera per 25 minuta, i cili mund te perzihet me miell orizi apo paketa te tjera dritherash te cilat i merrni ne farmaci. Perimet pastrohen, lahen dhe zihen per 25 minuta. Lengu i perftuar perzihet duke krijuar nje mase te qullte.

Per kete vakt mund te zieni 100 gr lulelaker, brokoli, laker, karota, patate, bishtaja dimerore apo edhe perime te tjera sipas deshires. Mos harroni te shtoni edhe spinaq. Ju mund te perdorni njerin nga zarzavatet e mesiperm per cdo dite te javes, apo edhe te beni perzierje sipas deshires.

Pasi femija te kete kaluar muajin e 8, provoni ti jepni pure te pergatitur nga keto perime stinore. Jane te rekomandueshme sidomos per femijet 1-2 vjec. Per ta bere me terheqese per femijet pritini perimet ne forma te bukura dhe vendosjuani bukur ne pjate. Krijoni figura, kukulla apo c’te mendoni se femija juaj e pelqen dhe inkurajojini ata qe te ushqehen vete.

Mos perdorni kripe, por pak vaj ulliri do ti jape shume shije gatimit tuaj. Sa? Nje cerek luge e vogel caji.

Gjithashtu per darke dhe per mengjes, MOS U LODHNI DUKE I SHTUAR FRUTA DHE PERIMET vakteve te femijeve tuaj.

Ne rastin e foshnjave deri ne 1 vjec lengu i frutave perzihet shume mire me pluhur dritherash apo me biskota. Madje nese per darke ju jepni biskota me qumesht, shtojini pak leng frutash, molle psh.

Per femijet e moshes 2 vjec deri 14 vjec rekomandohet konsumimi i te gjitha perimeve dhe frutave te ndryshme. Brokoli, lulelakra, karota, lakra, preshi, fasulja, thjerrezat, spinaqi jane perime me vlera te pazevendesueshme ushqimore. Gatuajini ne formen e gjelleve ose ne formen e tavave me perime, sepse ato pelqehen shume prej femijeve te ketyre moshave.

Psh: Per kater persona,  zieni ( pasi i keni pastruar e prere ne lule te vogla) ne uje me kripe dhe pak uthull per 15 minuta, 1/2kg lulelaker dhe 1/2kg brokoli. Derdheni ujin dhe shpelajini perimet me uje te ftohte qe te mos e humbasin ngjyren e tyre. Me pas shtrojini ne nje tepsi dhe sperkatini siper me pak vaj ulliri, 200 gr djathe te bardhe ose kackavall, nje tufe majdanoz dhe futini ne furren e sobes te ngrohur me pare ne temperaturen 170 grade celsius, per 20 minuta.

Kete gje mund ta provoni me patate, karota, spinaq, laker. Siper mund t’u hidhni djathe te perziere me 1 gote qumesht dhe 1 veze. Ndonjehere mund te perzieni edhe disa perime se bashku.

Madje, ketyre tavave mund t’u shtoni edhe pak mish te bardhe pule te prere ne kubike, ndonje lloj llukaniku apo suxhuku, proshute apo lloje te preferura sallami.

Mund te perdorni fantazine dhe te beni perzierje te guximshme pasi djathi i grire i perziere me qumesht e veze eshte nje shtrese e siperme qe garanton sukses.

Keto tava me perime te shoqeruara me pure patatesh apo me pak oriz dhe makarona me forma qe femijet i preferojne kthehen ne vakte te mrekullueshme.

Mos harroni qe vendin e sallates nuk e zevendeson asgje ne tryeze. Sallate jeshile me vaj ulliri e pak limon, sallate me laker e karota, sallate me laker te zier, sallate me patate te ziera e qepe te njoma.

Une si mama, rekomandoj si pjate te pare cdo dite supe me perime, me apo pa leng mishi nuk ka shume rendesi. Kjo varet nga deshira e cdo amvise. Luani me shijet dhe ngjyrat e perimeve. Supes me perime mund ti shtoni ne fund pak oriz apo makarona si edhe pak trahana.

Femijet shume here pelqejne edhe djathe te bardhe te thermuar mbi siperfaqen e supes te tyre.

Une preferoj t’ua zevendesoj femijeve nje cope cokollate me karota te qeruara apo edhe me copa mollesh e hurmash.

Cdo stine eshte unike dhe me fare pak pune, mund te shijoni deri ne maksimum te gjitha vitaminat qe “jetojne” ne frutat dhe perimet e shumellojshme.

Inkurajojini femijet qe te mendojne me “mendje te ftohte” perpara se te fusin “gjera” te panevojshme ne stomaket e tyre. Nje qese me patatina ben vetem dem, nderkohe qe nje mandarine te “dhuron” vitaminen C dhe te ndihmon te luftosh gripin. Prinder, femijet jane shume inteligjente, ndaj bejuani interesante dhe si loje cdo perpjekje kundershtuese per te mos konsumuar perime.

Ne familjen tone, brokoli u prezantua si pema e vogel e kopshtit dhe tashme eshte nje nder perimet e preferuara.

Kalofshi minuta te gezuara ne kuzhine dhe vakte gazmore me familjet tuaja!

 

Me dashuri,

Edi Gogu

Read Full Post »

Te dashur miq,

Ju falenderoj per letrat dhe komentet tuaja te vyera.  Me kerkonit qe te permendja ide per nje menu darke apo dreke te thjeshte e praktike. Shkurt dhe ne menyre praktike une do t’ju jap disa ide per nje darke mes miqsh, kur “nikoqirja” e shtepise je ti vete.

  1. Supe me perime te stines. Duhen vetem 10 minuta per te pastruar dhe grire ne kubike te vegjel apo ne rrathe te holle, 4 karrota, 2 patate mesatare, 2 qepe te njoma, 1 spec jeshil, 2 rrenje selino, 1 domate mesatare, 2 kunguj te vegjel, 1 presh mesatar, 350 gram lulelaker, 100 gr brokoli.

Te gjitha perimet e prera i hedh ne tenxheren me uje te vluar dhe i le te vlojne per 20 minuta. Me pas shton Knorr apo Maggi ose Gallina Blanca dhe 2 luge gjelle vaj ulliri. Une peferoj qe perimet ti ziej ne leng mishi vici, pasi ka shume vlera ushqyese dhe nje shije te mrekullueshme. Ne fund perpara servirjes shtoj koper ose majdanoz te grire holle dhe nje fete limoni ne cdo tas supe. Une shtoj ndonjehere pas supa ka perfunduar dhe,  pak djathe te bardhe ose disa kubike djathi kackavall.

2. Supa shkon shume mire me bukeza te bera vete ose ne mungese te kohes per ti pergatitur vete, mund te perdorni buke bagete. Priteni holle dhe cdo fetez lyejeni me gjalpe te tretur me pare ne te cilin keni shtuar pak kriper, rigon dhe pluhur hudhre. Buka bagete e sperkatur me kete perzirje dhe e ngohur ne furre ose mikrovale perpara servirjes e ben sijen e supes te mrekullueshme.

3. Sallata. Ju mund te zgjidhni te beni nje sallate te vetme ose nje kombinim sallatash. Psh, sallate me perime te stines te pjekura ne zgare ose ne furren e sobes ose ne mikrovale. Perimet pastrohen dhe priten holle ne formen e deshiruar. Vendosen ne nje ene te pershtatshme per procesin e zgjedhur dhe sperkaten persiper me vaj ulliri. Pasi jane pjekur i sperkasim me kripe, mjaftueshem me vaj ulliri dhe sipas deshires me uthull balsamike ose leng limoni te fresket. E vendosimbukur ne pjatance dhe e servirim pas supes se bashku me pjaten kryesore.

Nje ide tjeter per sallate mund te jete sallate greke (domate, kastravece, speca, qepe, sallate jeshile,ullinj, kripe, vaj ulliri e pak rigon) me djalthe te bardhe gjirokastre persiper.

4. Ndersa persa i perket pjates kryesore disa ide mund te jene:

peshk furre me patate e karrota

mish vici i furres i shoqeruar me perime te ziera dhe rizoto me limon

mish sipas preferences tuaj i shoqeruar me brokoli, lulelaker, karrota te ziera te cilat i sperkasim me pak gjalpe e djathe kackavall dhe i vendosim per 5 minuta ne furre ne 175 grade.

5. Zgjedhja e djathrave dhe proshutes eshte ne doren tuaj, por kujdes nese do te perdorni supe ose jo te kombinuar me te.

6. nese nuk keni kohe qe te beni embelsire, akullore e shoqeruar me fruta te fresketa apo molle te karamelizuar (e preferuara ime) eshte nje zgjedhje fantastike.

Te dashur miq, me shkruani nese doni qe te ndalem me detaje ne ndonje nga “gjerat e ngrenshme” te permendura me siper.

Paci miq plot dhe deshire e frymezim per te gatuar!

Ju lumshin duart!

edi

Read Full Post »

Ne ditet e dimrit nuk duhet neglizhuar perdorimi i perimeve te fresketa te stines. Nese nuk keni shume kohe ne dispozicion ju mund te pergatisni perime te fresketa vetem ne 15 minuta

Per 4 persona mund te perdorni:

  1. 300 gr brokoli e pastruar ne uje te ftohte ku kemi shtuar 2 luge gjelle uthull te bardhe/molle
  2. 300 gr lulelaker e pastruar  ne te njejten menyre
  3. 6 karrota te qeruara lehtazi
  4. 3 thelpinj hudher
  5. vaj ulliri/kripe/limon i fresket

Vendosni nje ene te mbushur te uje ne zjarr per tu ngrohur. Pasi te marre vale hidhni pak kripe dhe ne te hidhni karrotat e prera ne rrathe jo shume te holle. Lerini te ziejne per 3 minuta. hiqini nga ena me lugen kullonjese dhe ne ate uje vendosni lulelakren.

Ndersa ajo zien hidhni 1 luge supe uthull te bardhe. Uthulla shmang eren e rende te lulelakres. Shtoni thelpinjte e hudhres te cilet i shtypni pak me tehun e thikes. Lereni te zieje per 4 minuta e me pas hiqeni ne te njejeten menyre si bete me karrotat.

Me pas hidhni brokolin dhe shtoni uje dhe uthull nese nevojitet. Lereni te zieje per 4 minuta dhe me pas hiqeni nga uji i nxehte.

Vendosini bukur ne nje pjatance te madhe pasi te jene ftohur dhe hidhini siper vaj ulliri dhe leng limoni te shtrydhur.

Kjo pjatance shkon shume me mish te pjekur/ salsice te ziera/ qofte dhe peshk te zgarres. Ne mungese te tyre piqni ne furre nje cope djathe me domate siper e te mbeshtjelle me leter alumini.

Ju befte mire!

Read Full Post »

A nuk ju ka ndodhur qe ne mes te dimrit t’ju jete tekur per nje tave me “IMAM BAJALLDI”, apo per nje sallate me patellxhane te pjekur me hudher, uthull e me majdanoz?

Edhe mua me ka vajtur mendja, por pengese kane qene patellxhanet e cuditshem jashte stines dhe cmimet e llahtarshme per 1kg.

ZGJIDHJA? Po ju flas nga praktika ime dhe e zonjave te tjera. Blini (une bleva dje) patellxhane me shumice (deri ne 6 kg) me nje cmim te arsyeshem (qe ndodh prane fundit te sezonit) dhe pergatitini per dimer.

Hiqjuani bishtat, lajini me uje te bollshem dhe pritini ne copa me madhesi sipas deshires. Hidhini ne nje tigan te madh me kapak dhe hidhuni siper vaj ulliri e pak hudher te grire. Kur vaji te nxehet shtoni 5 luge uje ne tigan dhe kaurdisini pak derisa patellxhanet te zbuten e te marrin ngjyre me te erret.

Lerini te ftohen dhe me pas hidhini ne ene me kapak te pershtatshme per ne ngrirje. Eneve ngjituni nga nje etikete me emrin e perimes se perpunuar dhe daten e perpunimit. Pasi i vendosni ne ngrirje mund ti perdorni kur te deshironi deri per 4 muaj me pas.

Provojini sepse ja vlen. Ahh, desh harrova. Ju befshin mire!

Read Full Post »

« Newer Posts

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 25 other followers